Nga ekipi i BIRC

 

Formimi i qeverisë së re në Maqedoni në krye me liderin pro-perendimor, socialdemokratin Zoran Zaev, u pa si një fillim i fundit të një krize rë rrezikshme politike dhe të sigurisë, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për tërë rajonin.

Vlerësimi i përgjithshëm është se me këtë rotacion pushteti, në fakt, dështoi strategjia e Rusisë për të rritur influencën e saj në Ballkan.

Pas grushtetit të dështuar në Mal të Zi në fund të vitit 2016, kur nuk arriti të realizohet plani për shkaktimin e trazirave në këtë vend me qëllim që të parandalohet integrimi i tij në NATO, ndodhi edhe dështimi i dytë – Maqedonia. Hapat e ardhshëm të Perëndimit janë në drejtim të përshpejtimit të integrimit në NATO edhe të këtij vendi të vogël Ballkanik, por me një rëndësi të madhe gjeostrategjike për Brukselin dhe Washingtonin. Por, a ka hequr dorë Rusia përfundimisht nga shtrirja e ndikimit në Ballkan?

 

NJË RREZIK I RI

 

Caktimi i Nikollai Patrushev, mikut të vjetër të presidentit rus Vlladimir Putin, si njeriu kyç për Ballkanin flet për një tentim të riorganizimit të strukturave ruse në rajon dhe përgatitje të tyre për të ndjekur një linjë më të ashpër në të ardhmen. Patrushev është një politikan dhe spiun me përvojë në Rusi. Ka shërbyer si drejtor i Servisit të Sigurisë Federale (FSB), një institucion pasardhës i shërbimit inteligjent të ish-Bashkimit Sovjetik – KGB. Nga viti 2008 ai është sekretar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, një trup i konstituar nga ana e presidentit të shtetit e që ka për detyrë dhënien e këshillave lidhur me çështjet e sigurisë. Patrushev është vendosur në listën e zezë të Bashkimit Evropian (BE), pasi është vlerësuar se është ideatori i aneksimit të Krimesë, një teritorr i Ukrainës që është administruar nga rusët e këtij vendi. Lidhur me Ballkanin, ai mban qëndrimin se tentimi i Perëndimit për të integruar vendet e gadishullit në NATO është një kërcënim serioz për sigurinë e Rusisë.

Caktimi i një njeriu si Patrushev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste dhe anti-perëndimore, ka ndezur alarmin e kuq në BE dhe SHBA. Promovimi i doktrinës pansllovene dhe ortodokse për të shtrirë ndikimin në Ballkan vazhdon të jetë arma kryesore e Rusisë, e gërshetuar me mbështetjen e politikanëve dhe partive që janë të përfshira në aktivitete korruptive dhe kriminale. Me caktimin e Patrushevit, rreziku për nxitjen e Serbisë që të aneksojë Mitrovicën e Veriut dhe të përfshijë Republika Serbskën në kufijtë e saj duket gjithnjë e më serioz. Rusia ka gjasa të zbatojë një politikë më agresive në drejtim të krijimit të një unioni të shteteve sllovene-ortodokse në Ballkan, si një superstrukturë që do të paraqiste një kufi të ri midis Lindjes dhe Perëndimit.

 

PERIUDHA DELIKATE  

 

Kjo do të rezultonte me një konfigurim të ri të kufijve në Ballkan, që nënkuton një destabilizim për të përmbushur interesat ruse. Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina në këtë plan shihen si shtete që do të shkojnë kurban të këtij rikonfigurimi, gjë që prek seriozisht jo vetëm sigurinë e rajonit por edhe të BE-së në përgjithësi.

Që të parandalohet ky plan, perëndimi e ka të qartë që vendet e rajonit me urgjencë të implementojnë reformat në gjyqësi dhe sistem politik dhe të integrohen në NATO. Ndërkohë, qeveria e re e Maqedonisë duket se ende është në euforinë e fushatës parazgjedhore. Prioritetet e saja nuk janë në përputhje me realitetin politik në vend. Pjesa më e madhe e atyre prioriteteve janë vetëm dëshira, që tingëllojnë bukur në veshin e qytetarit. Për shembull, kjo qeveri nuk mund të realizojë reformat rrënjësore në gjyqësi përderisa nuk ka dy të tretat e votave për të ndryshuar Kushtetutën e vendit. Nuk mund të pretendoni për një rrogë mesatare 500 euro në kushtet ku shteti është punëdhënës më i madh, që do të thotë kemi një administratë të stërngarkuar që bluan pamëshirshëm arkën shtetërore. Animoziteti politik i LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, i shkaktuar nga kriza dyvjeçare, nuk jep shenja se do të mund të arrihet një koncensus më i gjerë edhe në raport me zgjdhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Moszgjidhja e këtij problemi mban të bllokuar integrimet në NATO dhe BE dhe rrjedhimisht e mban shtetin në gjendje të krizës konstante, gjë që shndërron këtë pjesë të Ballkanit në një arenë përplasjesh të fuqive të mëdha.

Në Maqedoni kemi të bëjmë me një kapje të tërësishme të shtetit nga ana e qeverisë së kaluar, e ekspozuar ndaj ndikimit rus, e cila ka arritur të instalojë strukturat e saja në të gjitha instancat e pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor. Pra, kemi partizim të skajshëm të institucioneve të cilat do të duhet të implementojnë reformat e pushtetit që udhëhiqet nga partia opononte. Këtu logjikisht del si zgjidhje zëvendësimin e atyre kuadrove me të reja, gjë që do të dukej si një zëvendësim të administratorëve të qeverisë së kaluar me ato të kësaj aktuale. Kjo nuk do të ishte një reformë e njëmendtë, por vetëm ndryshime dhe zëvendësime të zakonshme që ndodhin pas çdo palë zgjedhjeje në vend. Logjikisht, pritet një rezistencë të madhe të strukturave partiake brenda institucioneve, e që do të zvarrisin mbase një mandat të tërë procesin e reformave. Asnjëri nuk pranon reforma që do të nënkuptonin humbjen e vendit të punës, pra të mbijetesës. Për t’i implementuar reformat e paralajmëruara nevojitet një plan strategjik afatgjatë e i detajuar, i cili do të përkrahej fuqishëm nga Brukseli dhe Washingtoni zyrtar – si në aspektin politik, të bindjes së opozitës t’i përkrahë ato, poashtu edhe në aspektin financiar. Tani për tani duket se ka një disponim në BE dhe SHBA t’i ndihmohet vendit në këtë drejtim.

 

ZGJIDHJA E ÇËSHTJEVE ME FQINJËT

 

Vizita në Greqi e ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dhe e kryeministri Zoran Zaev në Bullgari paraqet një qasje konstruktive, një dorë e shtrirë e bashkëpunimit, gjë që duhet përshëndetur. Qeveria e kaluar ka provokuar fqinjët, ka thelluar konteste apo ka tentuar të hapë të reja, me qëllim që të përhapë frikën nga “armiqtë e jashtëm” në opinionin e brendshëm. Kjo i ka ndihmuar të bëjë një mobilizim të lehtë të masës rreth platformës së saj politike, gjë që i ka sjellë fitore rradhazi në ciklet zgjedhore në dhjetë vitet e fundit. Por, i ka ndihmuar edhe Rusisë që nuk është e kënaqur që Maqedonia është drejtuar drejt integrimit në NATO. Në mungesë të rezultateve ekonomike, qeveria e Nikolla Gruevskit preferoi nacionalizmin dhe  përhapjen e urrejtjes kundrejt fqinjëve. Të njëjtën e bëri edhe në planin e brendshëm, duke i paraqitur shqiptarët etnik, që përbëjnë ¼ e popullësisë së vendit si “armik i brendshëm”. Shkupi zyrtar tani më është kthyer në realitet, i cili thotë se edhe një shteti i fuqishëm nuk mund të mbajë të hapura të gjitha këto fronte, e jo më një shtet fragjil dhe i paqëndruseshëm. Nëse të dyja shtetet do të kenë një qasje të arsyeshme, konstruktive dhe vullnet të mirë që të tejkalohen dallimet, edhe kjo çështje mund të zgjidhet.

Nëse tejkalohet problemi me Greqinë, integrimi në NATO do të jetë çështje procedurale. Nga samiti i Bukureshtit në vitin 2008 ftesa mbetet e hapur dhe kërkohet plotësimi i këtij parakushti. Ndërkohë, integrimi në BE do të hasë në vështirësi pa një rol më aktiv të Brukselit zyrtar në zbatimin e reformave që kërkohen nga vendi.

 

KONFLIKTI I MUNDSHËM NDËRETNIK

 

Dokumentet e fundit të publikuara, e që buronin nga shërbimi inteligjent maqedonas, flasin për një aktivitet të shtuar të agjenturës ruse në këtë vend. Qëllimi i tyre është pamundësimi i anëtarësimit të vendit në NATO nëpërmjet nxitjes së konfliktit ndëretnik. Ky konflikt, ku do të implikohej edhe Kosova, mbase do të ishte një pikënisje dhe “casus beli” për intervenimin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut dhe Republika Sërpskën, duke i aneksuar këto dy njesi.  Pra, përveç vetos greke dhe kërcënimit bullgar për të bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO, konflikti ndëretnik duket të jetë si karta e fundit e Rusisë për t’ia arritur qëllimit.

Çështja e përdorimit të gjuhëve dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të jenë dy sfidat më të mëdha në këtë drejtim. Përdorimi i gjuhëve, në fakt, duhet trajtuar nga aspekti praktik, pra si formë komunikimi. Gjuha është vetëm formë që mund të ndryshojë, ndërkohë që përmbajtja mbetet e njëjtë. Në Maqedoni është humbur aq shumë kohë për formën, duke e anashkaluar përmbajtjen që është më e rëndësishme. Më me interes duhet të jetë ajo çka thuhet, e jo si thuhet. Por, nacionalizmi i injektuar gjatë decenies së fundit nuk krijon një klimë të tillë që kjo çështje të trajtohet në këtë mënyrë. Pas ngjarjeve të 27 prillit, kur Parlamenti u sulmua shkaku i zgjedhjes së një kryeparlamentari shqiptar, qeveria e re duket e trishtuar t’i hapë këto tema. VMRO-DPMNE ende kontrollon atë pjesë të militantëve ekstremë, që i ka ushqyer me nacionalizëm dhe urrejtje ndaj tjetrit, duke ua prezentuar shqiptarët etnikë gjithmonë si rrezik për qenien e tyre, por edhe pë shtetin e përbashkët. Është e qartë se gjuha shqipe nuk do të jetë në përdorim zyrtar në të gjithë vendin. Do të ketë vetëm një zgjerim të përdorimit zyrtar të saj, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë të këtij vendi të përdorin gjuhën amëtare në të gjitha institucionet ku paraqitet nevojë praktike.

Ndërkohë, Partia e Gruevskit është në një krizë jo vetëm strukturore, por edhe në rafshin e orientimeve strategjike. Një çarje brenda kësaj partie pritet të ndodhë midis atyre që kanë orientim pro-perëndimor dhe strukturës aktuale udhëheqëse, që vlerësohet të jetë e afërt me lindjen. Me një udhëheqësi si kjo aktualja dhe me politikë nacionalizmit ektrem, VMRO-DPMNE vetëm se do të vazhdojë të izolohet në planin e brendshëm, duke ulur në zero kapacitetet koalicionuese të saj. Kjo parti nuk arriti të formojë qeverinë shkaku i politikës së saj etnocentrike, gjë që solli humbjen e kapaciteteve koalicionuese. Partitë e shqiptarëve etnikë nuk do të pranojnë koalicionion me VMRO-DPMNE-në, e cila promovon urrejtje ndaj elektoratit të tyre ndërkohë që orientimet euroatlantike i përdor vetëm si retorikë boshe.  Çdo koalicion me një parti që ka një udhëheqësi si kjo e që promovon politika ekskluzive, nënkupton vetëvrasje për partitë e shqiptarëve etnikë. Në të njëjtën kohë kemi një izolim ndërkombëtar të VMRO-DPMNE-së. Nëse nuk arrin të reformohet, kjo parti nuk do të arrijë të ngjitet në pushtet asnjëherë.

Sido që të jetë, Ballkanin e pret një periudhë e përplasjes së fuqive të mëdha për kontrollin mbi këtë rajon. Pas intervenimit në Krime dhe Siri, stacioni i ardhshëm i Moskës duket se është gadishulli ballkanik.