Nga ekipi i BIRC

 

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, u paraqit në përurimin e objektit të ri të Filarmonisë në Shkup sikur ende të jetë kryeministër i vendit. Edhe pse nga viti 2015 ai nuk e mban këtë pozicion, kurse nga fundi i majit mandatin për formimin e qeverisë së re e mori lideri i partisë opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev, Gruevski në këtë manifestim u paraqit me të gjitha shenjat e njeriut kryesor në shtet. Si rëndom, ishte vonuar një gjysmë ore gjë që kishte shtyrë edhe fillimin e shfaqjes së filarmonisë. Në hollin e objektit të ri, i ndërtuar në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, e kishte pritur ministrja në largim e kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska. Ia kishte uruar objektin e ri dhe e kishte shoqëruar deri në sallën kryesore. I ftuar kishte qenë edhe presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, i cili gjatë krizës dyvjeçare në Maqedoni u vlerësua të ketë luajtur një rol destruktiv, duke promovuar interesat e VMRO-DPMNE-së. Në mesin e mysafireve gazetarët kishin parë edhe kryeministrin teknik Emil Dimitriev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe i dëgjueshëm i Gruevskit.

Të gjithë zyrtarët partiakë dhe bartësit e funksioneve në qeverinë e mëparshme ishin mbledhur në këtë eveniment. Ministra të përfshirë në aferat korruptive të shpalosura nga opozita dhe ish-funksionarë që janë nën hetime të Prokurorisë Speciale u panë për herë të parë në opinion, pas një tërheqje totale nga opinioni në momentin publikimit të përgjimeve.

Ky parakalim shtetëror i VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Nikolla Gruevski kishte huti te gazetarët që ishin duke ndjekur rastin. Aty kishte munguar njëri nga tre funksionarët më të rëndësishëm të shtetit – kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, por edhe mandatari për kryeministër Zoran Zaev. Në ato momente ishin përzier rolet dhe nuk dihej kush është pushtet e kush opozitë.

 

TRANSFERI I PUSHTETIT

 

Kjo nuk ishte hera e parë që Gruevski të paraqitet si kryeministër, edhe pse është kryetar i një partie opozitare. Para një muaji, në kulmin e krizës nga shkaku i pamundësimit të bartjes paqësore të pushtetit, ai kishte paralajmëruar investime të huaja në juglindje të Maqedonisë. Më pas kishte lëshuar në përdorim një objekt publik dhe së fundmi kishte rolin kryesor në përurimin e objektit të filarmonisë.

Derisa kishte përuruar objektin komunal, një gazetare e kishte pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Zoti Gruevski, a jeni i vetëdijshëm se nuk jeni më kryeministër?”. Kjo pyetje në realitet ngërthen edhe frikën reale që është prezentë në opinion e që ka të bëjë me transferin e pushtetit në Maqedoni. Mosgatishmëria për t’i lënë pushtetin shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga Zaevi prodhoi të enjten e përgjakshme në Parlament, me ç’rast turma e protestuesve dhe struktura kriminalo-policore i sulmuan deputetët e shumicës së re parlamentare. Ky skenar mendohet të kishte për qëllim të nxisë konflikte më serioze ndërpartiake dhe ndëretnike, të cilat do t’i jepnin material presidentit Ivanov të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Në një gjendje të këtillë, kushtetuta e vendit i jep fuqi presidentit të shtetit të emërojë apo shkarkojë funksionarë, përfshirë edhe kryeministrin, kurse nëpërmjet ushtrisë të vendos rendin e posaçëm brenda shtetit.

Një skenar i këtillë u vlerësua si i çmendur, pasi realizimi eventual i tij do të kishte futur vendin në një luftë shkatërruese, epilogu i së cilës do të ishte zhbërja e shtetit dhe mijëra viktima. Njëkohësisht, u konstatua se deri ku mund të shkojë logjika e një klike të korruptuar dhe inkriminuar politike, e cila është në gjendje të shkaktojë aq shumë dëme për të shpëtuar pasurinë e tyre.

 

PARALAJMËRIM PËR QEVERINË E RE

 

Në gjithë këtë situatë absurde politike, logjikisht shtrohet pyetja: Pse Gruevski dëshiron të paraqitet si kryeministër, edhe pse ka pranuar se do të jetë opozitë? Vizita e zëvendës-ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Bryan Yee dhe paralajmërimet e tij të fuqishme detyruan Gruevskin ta lëshojë pushtetin. Megjithatë, me performimet si kryeministër lideri i VMRO-DPMNE-së dëshiron të përçojë disa mesazhe në opinion.

E para, prodefilimi i fundit i të gjithë funksionarëve partiakë ka për qëllim të dëshmojë një unitet të brendshëm, i cili do të kishte efektin e dekurrajimit të qeverisë së re. Një VMRO-DPMNE në opozitë me 51 deputetë do të mbajë në vazhdimësi të hapur mundësinë që brenda natës të kthehet në pushtet, me atë që do të lidhte koalicion me BDI-në që ka 10 deputetë, me partitë tjera shqiptare (BESA, ASH, PDSH) që kanë poashtu 10 deputetë apo në ndonjë kombinim të të dyja opsioneve, me qëllim që të sigurojë pragun e shumicës prej 61 deputetësh.

E dyta, të mbajë gjallë mobilizimin e militantëve dhe elektoratit të saj, duke dhënë shenja se kjo qeveri e Zeavit do të jetë vetëm për përdorim të përkohshëm dhe se zgjedhjet e reja të parakohshme do të kthejnë sërish VMRO-DPMNE-në në pushtet, kurse Gruevskin në pozitën e kryeministrit.

Dhe e treta, të pamundësohet debati i brendshëm në VMRO-DPMNE për ndërrimin e kryetarit dhe anëtarëve tjerë të kryesisë, me atë që çdo zë kundër Gruevskit të interpretohet si zë kundër këtij uniteti të partisë.

Gruevski është ii vetëdijshëm se Zaev do të marrë të udhëheqë një qeveri, e cila do të varej nga dy partnerët shqiptarë brenda saj – një herë nga 10 deputetët e BDI-së, e pastaj nga 3 deputetët e ASH-së ose 5 të BESËS. Një qeveri e këtillë “laramane” do të jetë e thyeshme përballë opozitës së “çmendur”, e cila nuk mund të pajtohet me realitetin se nuk është më pushtet.

Nëse vazhdon të zgjasë ky shtrëngim i brendshëm i VMRO-DPMNE-së, pa mundësinë që kjo parti të reformohet dhe të ketë një qasje më racionale ndaj reformave urgjente që duhet miratuar qeveria e re, atëherë kriza mund të rikthehet sërish. Miratimi i ligjit për përdorim të gjerë zyrtare të gjuhës shqipe do të jetë testi i parë në këtë drejtim.