Xhelal NEZIRI, Tetovë

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkaktoi reagime të mëdha te establishmenti politik i Beogradit dhe Shkupit kur paralajmëroi se nacionalistët shqiptarë do të bashkojnë Shqipërinë dhe Kosovën nëse Bashkimi Evropian (BE) i zhduk shpresat e integrimit të Ballkanit. Ai për revistën prestigjioze “Politico” ka mohuar se preferon një union të vogël midis dy shteteve duke theksuar se preferon një bashkim të madh si ai i BE-së. “Por, nëse nuk do të ketë shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë natyrisht se unionet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Kjo deklaratë e tij kuptohet se ishte një analizë individuale, e jo një deklaratë tipike e një kryeministri. Paralajmërimi nuk e nënkupton me domosdo dëshirën. Por, hapësira e lënë për interpretime të ndryshme, u ka dhënë material nacionalistëve të politikës serbe e maqedonase që të përdorin këtë analizë të kryeministrit shqiptar si mjet për të forcuar propagandën brenda shtetit të tyre.

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë dhe lideri i Partisë Socialiste Serbe (PSS), Ivica Daçiç, kërkoi nga faktori ndërkombëtar të dënojë deklaratën e Ramës, ndërkohë që ne mediat lokale ai deklaroi se “kjo dëshmon se ëndërra për Shqipërinë e madhe ende është gjallë”.

Partia e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, në fakt ishte ajo që përfitoi më shumë nga kjo deklaratë analitike e Ramës. Që nga 29 janari, kur i skadoi afati i mandatit për formimin e qeverisë së re pa një marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, kjo parti ka arritur të ndërtojë rrëfimin politik se deklarata e përbashkët e partive kryesore të shqiptarëve etnik të Maqedonisë është përpiluar nga zyra e Ramës në Tiranë. Rrjedhimisht, e quan “Platforma e Tiranës”, por që në kontekstin politik në të cilin përdoret shpesh ka kuptimin e një akti “tiranik” i ushtruar ndaj maqedonasve etnikë nga një shtet tjetër. Nëpërmjet një reagimi me shkrim, VMRO-DPMNE dënoi deklaratën e Ramës duke vlerësuar se me veprimet e tij është duke nxitur një destabilizim më të madh në rajon.

 

RIMËKEMBJA E EVROPËS

 

Në fakt, deklarata e Ramës i drejtohej opinionit evropian e jo atij në Ballkan. Mesazhi i tij ishte se BE-ja më e rrezikuar është nëse i le shtetet e këtij gadishulli jashtë, sesa t’i integrojë brenda saj. Reformat që kërkon Brukseli, me theks ato në drejtësi, mbeten të bllokuara shkaku i bojkotit të opozitës. Andaj një presion më i theksuar ndaj të djathtës shqiptare nga ana e Brukselit zyrtar, i dominuar poashtu nga partitë e djathta, do ta ndihmonin Ramën të t’i përmbushë reformat, por edhe t’i fitojë edhe një herë zgjedhjet parlamentare të caktuara për në muajin qershor.

BE-ja mund ta tërheqë vëmendjen nga Ballkani, si pjesë përbërëse e kontinentit, vetëm nëse shpërbëhet si union. Pra, nëse çdo vend anëtar do të ndiqte rrugën e Britanisë së Madhe, e cila anuloi anëtarësimin nëpërmjet një referendumi të organizuar në vitin 2016.

Rreziqet e mëdha që sollën partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë, e që propagandojnë largim nga Unioni, duket se nuk mund t’ia arrijnë qëllimit. Në zgjedhjet e marsit në Holandë promotori i dezintegrimit nga BE-ja – partia PVV e Gert Vilders, nuk arriti deri në fitoren e dëshiruar. Qasja populiste dhe aventurat jovizionare që rënojnë vlerat e shoqërisë dhe shtetit holandez, nuk morën mbështetjen e dëshiruar.

Populistët duket se do të humbin zgjedhjet presidenciale edhe në Francë. Epërsia e lehtë të kandidatit të partisë “En Marche!” (Përpara), Emanuel Makron kundrejt ultra-nacionalistes Mari Le Pen nga Fronti Nacional, është vlersuar jo vetëm si një disfatë për populistët por edhe si shpresë për Francën. Makron, partia e së cilit është formuar vetëm një vit më parë, dhe Le Pen kanë arritur të shkojnë në raundin e dytë zgjedhor, duke u shkaktuar disfatë kandidatët e partive të etabluara franceze, si – Fransoa Fillon nga Republikanët apo Benoit Amon nga Partia Socialiste. Makron ka marrë menjëherë mbështetjen e Fillonit për raundin e dytë, gjë që i kanë shtuar gjasat që të zgjidhet president i Francës. Makron ka paralajmëruar një fazë të re të rimëkëmbjes së BE-së, ndërkohë që Le Pen ka parapëlqyer braktisje të unionit. Në rast të fitores së saj, BE-ja do të shënonte fillimin e fundit të saj. Mediat ndërkombëtare kanë vlerësuar se një shtytje në favor të Le Penit ka dhënë edhe sulmi terrorist që ndodhi në prag të votimeve. Liderja e Frontit Nacional njihet për qëndrimit e saja kundër emigrantëve, kreyisht të përkatësisë myslimane. Mbështetje ka marrë edhe nga mediat e kontrolluara apo të ndikuara nga qendra të fuqisë politike Ruse. Këto media akuzuan ish-presidentin amerikan Barack Obama se ka interferuar në zgjedhjet e Francës me atë që ka mbpështetur Makronin.

Një mobilizim për t’u mbrojtur nga ndikimi i jashtëm në procesin zgjedhor është duke ndodhur edhe në Gjermani, vend i cili në shtator të këtij viti duhet të mbajë zgjedhjet federale. Sondazhet nxjerrin fituese partinë e djathtë – CDU-në e kancelares Angela Merkel, e cila një kohë të gjatë udhëheq koalicionin e madh qeverisës ku bën pjesë edhe partia oponente – e majta SPD.  AFD-ja, subjekti që promovon populizëm dhe dezintegrim të Gjermanisë nga BE-ja, nuk arrin të fitojë ndonjë përkrahje më të madhe. Njëjtë si në Francë, çdo sulm terrorist gjithësesi se kapitalizohet nga ana e kësaj partie.

 

VENDET E KORRUPSIONIT DHE KRIZAVE

 

Evropa duket se po rimerr veten dhe mendon seriozisht për një ristrukturim rrënjësor, i cili do të përfshinte edhe Ballkanin. Një union i dominuar nga e djathta duket se do të detyrohet të përkrahë qeveritë e majta në Tiranë dhe Shkup, duke sanksionuar kështu partnerët ideologjik të tyre.

Megjithatë, mungesa e një politike të jashtme të unifikuar shfaqet edhe gjate tentimit për të zgjidhur krizën në Maqedoni dhe Shqipëri.

Ngërçi politik në të cilin u gjet Kosova, mungesa e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, pamundësia për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin  ushtrisë së shtetit dhe prezenca e korrupsionit masiv në institucione duket se do të rezultojnë me zgjedhje të parakohshme në qershor apo shtator të këtij viti. Mosfunksionimi i koalicionit të madh qeverisës PDK-LDK dhe lufta për dominim të brendshëm në këto parti pritet t’i imponojnë zgjedhjet si rrugë e vetme për dalje nga kriza.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perendimor ballafaqohet me kriza politike dhe të sigurisë, të cilat mund të shpërthejnë në konflikte rajonale. Paralajmërimi i Ramës duhet kuptuar si alarm, e jo si kërcënim. Është një rrezik serioz që strukturat e korruptuara politike t’i fryejnë zjarrit të një lufte rajonale me qëllim që të shpëtojnë nga ballafaqimi me drejtësinë. Bllokimi i formimit të institucioneve dhe refuzimi i dorëzimit të pushtetit nga ana e VMRO-DPMNE-së mund të jetë një fitil, ndezja e të cilit do të involvonte në një përplasje të armatosur së paku katër shtete: Greqinë që nuk i njeh emrin Maqedonisë, Bullgarinë që i refuzon historinë dhe gjihën, Serbinë që konteston kishën dhe Shqipërinë, e cila tenton të tregojë një lloj përkujdesje për shqiptarët etnik që jetojnë në Maqedoni.