Nga Xhelal NEZIRI*

 

Kontrovers, konfliktuoz, i ashpër në qëndrime që shpesh përmbajnë gjuhë të urrejtjes, kandidati republikan për president të SHBA-së Donald Tramp ka shumë ngjashmëri me politikanët nacionalistë të Ballkanit. Kundërkandidatja demokrate Hillari Klinton, ndërkaq, është një person i njohur mirë nga ballkanasit shkaku i rolit aktiv të bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Klinton, në ndërprerjen e luftërave në këtë rajon. Trampi është kandidati autokrat dhe konzervativ, një profil i shpeshtë në skenën politike të Ballkanit, ndërkohë Klinton – demokrate dhe liberale, ashtu siç pretendojnë të jenë përfaqësuesit e gjeneratës së re politike të rajonit.

Në fakt, Tramp dhe Klinton kanë shkaktuar polarizime edhe në vendet e gadishullit. Këto zgjedhje presidenciale në SHBA si asnjëherë më parë kanë zgjuar një interes shumë të madh, por edhe një ndasi midis popujve të ndryshëm të rajonit.

Në janar të këtij viti kryetari i Partisë Radikale Serbe, Voisllav Sheshel, doli hapur në anën e Trumpit. Ky politikan ultra-nacionalist, i cili qe i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare, u ka bërë thirrje serbëve që kanë shtetësi amerikane të japin votën për kandidatin republikan pasi kjo do të thotë “votë për ardhmërinë e Serbisë”. Arsyet pse Sheshel dhe radikalët e Serbisë kanë vendosur të përkrahin Trumpin është linja tij e fortë dhe armiqësore në raport me myslimanët, si dhe paralajmërimi i marrëdhënieve të ngrohta dhe miqësore me Rusinë.

“Ai është miku i Rusisë dhe dëshiron marrëveshje me rusët. Votoni për atë sepse është mik i popullit serb”, u kishte thënë Sheshel mbështetësve të tij, që mbanin fanella me fytyrën e Trampit.

Nga ana tjetër, në Bosnje e Hecegovinë në nëntor u organizua tubimi “Sarajeva voton për Hillari Klinton”, me qëllim të përcjelljes së mesazhit në përkrahje të kandidates demokrate nga myslimanët e këtij vendi. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë një bulevard ka marrë emrin “Bill Klinton”, ndërkohë që statuja e tij është ngritur në një shesh të qytetit.

Urrejtja e Sheshelit dhe bashkëmendimtarëve të tij ndaj Klintonit burojnë nga vitit 1999, kur NATO bombardoi Serbinë e gjetur nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ky aksion ishte ndërmarrë për të parandaluar krimet kundër njerëzimit në Kosovë, ku forcat qeveritare serbe dhe guerilja shqiptare ishin në kulmin e luftimeve. Intervenimi ajror i NATO-s detyroi Millosheviqin të tërheqë forcat ushtarake nga Kosova, ndërkohë që shkaktoi dëme infrastrukturore dhe njerëzore në Serbi. Roli i NATO-s ishte vendimtar edhe në ndaljen e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Figura e presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klinton ka mbetur e ngulitur në memorien kolektive të popullit mysliman dhe shqiptar në Ballkan si një shpëtimtar, udhëheqës i intervenimeve ushtarake që parandaluan tragjeditë edhe më katastrofale.

Një luftë e vërtetë po ndodh në rrjetet sociale, ku përkrahësit e Trumpit dhe Klintonit duket se me padurim presin rezultatet zgjedhore.

Përveç aspektit etnik e religjioz, sytë ka Uashingtoni i kanë drejtuar edhe grupimet  politike të ndryshme për nga ideologjia. Tetë vitet e presidencës së demokratit Barack Obamës shihet si një mbështetje për të majtën dhe liberalët në Ballkan dhe një shtypje e së djathtës, e cila nuk arrin të etablojë raporte të mira me diplomatët amerikanë. Mediat pro-qeverisë konservatore në Maqedoni i japin hapësirë të konsiderueshme republikanit Tramp, duke përkrahur atë, ndërkohë që për demokraten Klinton raportojnë më shumë për aferat ku përflitet. Ky vend në dhjetor pritet të organizojë zgjedhje të parakohshme, pas një krize të shkaktuar nga shpalosja e aferave korruptive nga ana e së majtës në opozite. Konservatorët maqedonas nëpërmjet mediave të tyre në disa raste kanë akuzuar diplomatët amerikanë si shkaktarë të krizës, ndërkohë që fitorja e Trampit shihet një pikë kthese e politikës amerikane në raport me Maqedoninë. E majta ndërkaq, duket të shpresojë se fitorja e Klintonit do të forconte partneritetin me administratën amerikane në drejtim të etablimit më të fuqishëm të tyre në skenën politike.

Në kohën kur Bashkimi Evropian (BE) ballafaqohet me një krizë ekzistenciale,  integrimi evropian gjithnjë e më pak shihet si zgjidhje e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e këtyre shteteve. Përplasja midis perëndimit dhe lindjes duket se gjithnjë e më tepër involvon edhe Ballkanin Perëndimor, i cili ende nuk ka kapërcyer armiqësitë nga luftërat e shkaktuara nga shpërbërja e federatës Jugosllave. Rezultatet e zgjedhjeve në vendin më të fuqishëm në Botë – SHBA në Ballkan shihen si përcaktuese për fatin e popujve apo edhe të grupimeve të caktuara ideologjike.

 

*Kjo analizë është shkruar për portalin global INPERSPECTIVE.MEDIA